lundi 20 novembre 1989

albanais

KONVENTA MBI TË DREJTAT E FËMIJËS
PREAMBULA
Shtetet Palë në këtë Konventë,
Duke pasur parasysh se, në përputhje me parimet e shpallura në Kartën e Kombeve të
Bashkuara, njohja e dinjitetit të lindur dhe e të drejtave të barabarta e të
patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është baza e lirisë,
drejtësisë dhe e paqes në botë,
Duke mbajtur parasysh faktin se popujt e Kombeve të Bashkuara kanë ripohuar në
Kartë besimin e tyre në të drejtat themelore të njeriut dhe në dinjitetin dhe vlerën e
njeriut dhe kanë vendosur të nxisin përparimin shoqëror e të krijojnë kushte më të
mira jetese, në një liri më të madhe,
Duke pranuar se Kombet e Bashkuara, në Deklaratën Universale të të Drejtave të
Njeriut dhe në Paktet ndërkombëtare mbi të Drejtat e Njeriut, kanë shpallur dhe kanë
pranuar që çdonjëri mund të përfitojë nga të gjitha të drejtat dhe të gjitha liritë e
parashtruara në to, pa asnjë dallim race, ngjyre, gjinie, gjuhe, feje, opinioni politik ose
çdo lloj opinioni tjetër, origjine kombëtare ose shoqërore, pasurie, prejardhjeje ose
çdo lloj gjendjeje tjetër,
Duke kujtuar se në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, Kombet e
Bashkuara kanë shpallur që mosha e fëmijërisë ka të drejtë për një përkujdesje dhe
përkrahje të veçantë,
Të bindur se familja, si njësi bazë e shoqërisë dhe mjedis natyror për rritjen dhe
mirëqenien e të gjithë anëtarëve të saj dhe veçanërisht të fëmijëve, duhet të ketë
mbrojtjen dhe përkrahjen e nevojshme që të mund të marrë përsipër plotësisht rolin e
saj në bashkësi,
Duke pranuar se fëmija, për zhvillimin e plotë dhe të harmonishëm të personalitetit të
tij, duhet të rritet në mjedis familjar, në një atmosferë lumturie, dashurie dhe
mirëkuptimi,
Duke pasur parasysh se fëmija duhet të përgatitet plotësisht për të bërë një jetë
individuale në shoqëri dhe të edukohet në frymën e idealeve të shpallura në Kartën e
Kombeve të Bashkuara dhe sidomos në frymën e paqes, të dinjitetit, tolerancës, lirisë,
barazisë dhe solidaritetit,
Duke mbajtur parasysh se domosdoshmëria për t’i dhënë një mbrojtje të posaçme
fëmijës është pohuar në Deklaratën e Gjenevës mbi të Drejtat e Fëmijës të vitit 1924
dhe në Deklaratën mbi të Drejtat e Fëmijës të miratuar nga Kombet e Bashkuara më
20 nëntor 1959 dhe që është njohur në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut,
në Paktin Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike (në veçanti në nenet 23 dhe
24), në Paktin Ndërkombëtar mbi të Drejtat Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore (në
veçanti në nenin 10) dhe në statutet e instrumentet përkatëse të agjencive të
specializuara dhe të organizatave ndërkombëtare, që merren me mirëqenien e fëmijës,
Duke mbajtur parasysh se, ashtu siç është thënë në Deklaratën e të Drejtave të
Fëmijës “fëmija, për shkak të papjekurisë së tij fizike dhe intelektuale ka nevojë për
një mbrojtje dhe kujdes të posaçëm, përfshirë mbrojtjen juridike të përshtatshme, si
para ashtu dhe pas lindjes”,
Duke kujtuar dispozitat e Deklaratës mbi Parimet Shoqërore dhe Juridike lidhur me
Mbrojtjen dhe Mirëqenien e Fëmijëve, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me vendosjen
e fëmijës në një familje ushqyese dhe birësimin e fëmijës brenda dhe jashtë vendit; me
rregullat minimale standard të Kombeve të Bashkuara mbi administrimin e drejtësisë
për të miturit (Rregullat e Pekinit) dhe të Deklaratës mbi Mbrojtjen e Grave dhe
Fëmijëve në Periudha të Gjendjes së Jashtëzakonshme dhe Konflikti të Armatosur,
Duke pranuar se në të gjitha vendet e botës ka fëmijë që jetojnë në kushte
jashtëzakonisht të vështira dhe se është e nevojshme që këtyre fëmijëve t’u kushtohet
një vëmendje e veçantë,
Duke mbajtur parasysh si duhet rëndësinë e traditave dhe të vlerave kulturore të çdo
populli në mbrojtjen dhe zhvillimin e harmonishëm të fëmijës,
Duke pranuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për përmirësimin e kushteve
të jetesës së fëmijëve në të gjitha vendet, dhe veçanërisht në vendet në zhvillim,
U morën vesh për sa vijon:
PJESA I
Neni 1
Në këtë Konventë, me fëmijë kuptohet çdo qenie njerëzore nën moshën 18 vjeç, me
përjashtim të rasteve kur mosha madhore arrihet më përpara, në përputhje me
legjislacionin të cilit ai i nënshtrohet.
Neni 2
1. Shtetet Palë angazhohen të respektojnë të drejtat e përmedura në këtë Konventë dhe
t’ia garantojnë ato çdo fëmije, që përfshihet në juridiksionin e tyre, pa asnjë lloj
dallimi, pavarësisht nga raca, ngjyra, gjinia, gjuha, feja, opinioni politik ose çdo
opinion tjetër, nga origjina kombëtare, etnike ose shoqërore, pasuria, paaftësia,
prejardhja familjare apo çdo gjendje tjetër e fëmijës ose prindërve të tij ose
përfaqësuesve të tij ligjorë.
2. Shtetet Palë marrin të gjitha masat e duhura, me qëllim që fëmija të jetë efektivisht
i mbrojtur nga të gjitha format e diskriminimit ose ndëshkimit, për shkak të pozitës,
veprimtarive, opinioneve të shprehura ose bindjeve të prindërve të tij, të
përfaqësuesve të tij ligjorë ose të anëtarëve të familjes së tij.
Neni 3
1. Në të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me fëmijën, të marra qoftë nga institucione
publike ose private të përkrahjes shoqërore, nga gjykatat, autoritetet administrative
apo organet legjislative, interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsiderata
mbizotëruese.
2. Shtetet Palë angazhohen që t’i sigurojnë fëmijës mbrojtjen dhe kujdesin e
nevojshëm për mirëqenien e tij, duke pasur parasysh të drejtat dhe detyrat e prindërve
të tij, të kujdestarëve të tij ligjorë ose të personave të tjerë ligjërisht përgjegjës për të
dhe, për këtë qëllim, ata marrin të gjitha masat legjislative dhe administrative
përkatëse.
3.Shtetet Palë marrin masa që institucionet, shërbimet dhe qendrat që përgjigjen për
kujdesin dhe mbrojtjen e fëmijëve të veprojnë në përputhje me normat e caktuara nga
autoritetet kompetente, veçanërisht në fushën e sigurisë, të shëndetit, të numrit dhe
aftësive të personelit të tyre si dhe të kontrollit të duhur.
Neni 4
Shtetet Palë angazhohen të marrin të gjitha masat legjislative, administrative e të tjera
të nevojshme, për të vënë në jetë të drejtat e njohura në këtë Konventë. Lidhur me të
drejtat ekonomike, shoqërore e kulturore, Shtetet Palë marrin të gjitha masat e
mundshme, në bazë të burimeve që disponojnë dhe, kur është nevoja, në kuadrin e
bashkëpunimit ndërkombëtar.
Neni 5
Shtetet Palë respektojnë përgjegjësitë, të drejtat dhe detyrat që kanë prindërit ose,
sipas rastit, anëtarët e familjes së zgjeruar ose të bashkësisë, siç parashikohet nga
zakoni i vendit, kujdestarët ose persona të tjerë ligjërisht përgjegjës për fëmijën, për t’i
dhënë këtij, në përputhje me zhvillimin e aftësive të tij, drejtimin dhe udhëheqjen e
duhur për ushtrimin e të drejtave që i njeh atij kjo Konventë.
Neni 6
1. Shtetet Palë njohin se çdo fëmijë ka të drejtën e pamohueshme për të jetuar.
2. Shtete Palë, marrin të gjitha masat e mundshme për të siguruar mbijetesën dhe
zhvillimin e fëmijës.
Neni 7
1. Fëmija regjistrohet menjëherë sapo lind dhe qysh atëherë ka të drejtën të ketë një
emër, të drejtën për të fituar një shtetësi dhe, brenda mundësive, të drejtën për të
njohur prindërit e tij dhe për të pasur kujdesin e tyre.
2. Shtetet Palë sigurojnë zbatimin e këtyre të drejtave, në përputhje me legjislacionin e
tyre kombëtar dhe me detyrimet që rrjedhin nga instrumentet përkatëse ndërkombëtare
në këtë fushë, sidomos në rastet kur, në mungesë të tyre, fëmija do të mbetej pa
shtetësi.
Neni 8
1. Shtetet Palë marrin përsipër të respektojnë të drejtën e fëmijës për të ruajtur
identitetin e tij, përfshirë këtu shtetësinë, mbiemrin dhe lidhjet familjare, sipas ligjit,
pa ndërhyrje të paligjshme.
2. Në qoftë se një fëmije i mohohen në mënyrë të paligjshme disa ose të gjithë
elementet e identitetit të tij, Shtetet Palë i japin atij ndihmën dhe mbrojtjen e duhur,
me qëllim që identiteti i tij të rivendoset shpejt.
Neni 9
1. Shtetet Palë garantojnë që fëmija të mos ndahet nga prindërit kundër dëshirës së
tyre, përveç rastit kur autoritetet kompetente, në bazë të rishikimit gjyqësor, vendosin
që, në përputhje me ligjin dhe procedurat përkatëse kjo ndarje është e domosdoshme,
në interesin më të lartë të fëmijës. Ky vendim mund të jetë i nevojshëm në raste të
veçanta, si ai kur prindërit keqtrajtojnë ose nuk kujdesen për fëmijën, ose kur ata
jetojnë të ndarë dhe kur duhet vendosur se ku duhet të banojë fëmija.
2. Në të gjitha rastet e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni, të gjitha palët e
interesuara duhet të kenë mundësinë të marrin pjesë në diskutim dhe të bëjnë të
njohura mendimet e tyre.
3. Shtetet Palë respektojnë të drejtën e fëmijës së ndarë nga njëri ose nga të dy
prindërit, që të mbajë rregullisht marrëdhënie vetjake dhe takime të drejtpërdrejta me
të dy prindërit e tij, me përjashtim të rasteve kur kjo nuk është në interesin më të lartë
të fëmijës.
4. Kur ndarja është rrjedhojë e çdo mase të marrë nga një Shtet Palë, si ndalimi,
burgimi, internimi, dëbimi ose vdekja, (përfshirë këtu vdekjen për çfarëdo shkaku, kur
personi është i ndaluar nga shteti) e njërit ose të dy prindërve, ose të fëmijës, ky Shtet
Palë, sipas kërkesës, u jep prindërve, fëmijës ose, kur është rasti, një anëtari tjetër të
familjes, të dhëna të hollësishme mbi vendin ku ndodhen anëtari ose anëtarët e
familjes, me përjashtim të rasteve kur dhënia e këtyre të dhënave dëmton mirëqenien e
fëmijës. Shtetet Palë sigurojnë gjithashtu, që paraqitja e një kërkese të tillë të mos
sjellë në vetvete pasoja të dëmshme për personin ose personat e interesuar.
Neni 10
1. Në përputhje me detyrimin e Shteteve Palë sipas paragrafit 1 të nenit 9, kërkesat e
bëra nga një fëmijë ose nga prindërit e tij, me qëllim që të hyjnë në një Shtet Palë ose
të largohen prej tij, për arsye ribashkimi të familjes, trajtohen nga Shtetet Palë në një
frymë pozitive, me humanizëm dhe me shpejtësi. Shtetet Palë sigurojnë gjithashtu që
paraqitja e një kërkese të tillë të mos sjellë pasoja të dëmshme për autorët e kërkesës
dhe anëtarët e familjes së tyre.
2. Një fëmijë, prindërit e të cilit banojnë në shtete të ndryshme, ka të drejtë të mbajë
marrëdhënie personale dhe takime të rregullta të drejtpërdrejta me të dy prindërit e tij,
me përjashtim të rrethanave të jashtëzakonshme. Për këtë qëllim dhe në përputhje me
detyrimin e Shteteve Palë, sipas paragrafit 1 të nenit 9, Shtetet Palë respektojnë të
drejtën e fëmijës dhe të prindërve të tij për t’u larguar nga çdo vend, përfshirë këtu
edhe të vetin, si dhe të kthehen në vendin e tyre. E drejta për t’u larguar nga çdo vend
bëhet objekt kufizimesh vetëm në rastet e përcaktuara me ligj, të cilat janë të
nevojshme për të mbrojtur sigurimin kombëtar, rendin publik, shëndetin dhe moralin
publik ose të drejtat dhe liritë e të tjerëve dhe që janë në pajtim me të drejtat e njohura
në këtë Konventë.
Neni 11
1.Shtetet Palë marrin masa për të luftuar zhvendosjet dhe mosrikthimet e paligjshme
të fëmijëve në vend të huaj.
2.Për këtë qëllim, Shtetet Palë nxisin përfundimin e marrëveshjeve dypalëshe ose
shumëpalëshe ose aderimin në marrëveshjet ekzistuese.
Neni 12
1. Shtetet Palë i garantojnë fëmijës, i cili është i aftë të ketë pikëpamjet e tij, të drejtën
për t’i shprehur lirisht këto pikëpamje, për çdo çështje që ka të bëjë me të, duke i
vlerësuar ato në përputhje me moshën dhe shkallën e pjekurisë së tij.
2. Për këtë qëllim, fëmijës i jepet mundësia që të dëgjohet në çdo procedurë gjyqësore
ose administrative, që ka të bëjë me të, qoftë drejtpërdrejt, qoftë nëpërmjet një
përfaqësuesi ose të një organi të përshtatshëm, në përputhje me rregullat e procedurës
së legjislacionit kombëtar
Neni 13
1. Fëmija ka të drejtën e lirisë së shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë për të kërkuar,
për të marrë dhe për të përcjellë informacione dhe ide të çdo lloji, pa marrë parasysh
kujfijtë, në formë gojore, të shkruar, të shtypur ose artistike, ose me çdo mjet tjetër të
zgjedhur nga fëmija.
2. Ushtrimi i kësaj të drejte mund t’i nënshtrohet disa kufizimeve, por vetëm kur
përcaktohen me ligj dhe janë të domosdoshme për:
(a) Respektimin e të drejtave ose reputacionit të të tjerëve; ose
(b) Mbrojtjen e sigurimit kombëtar, të rendit publik, të shëndetit ose të moralit publik.
Neni 14
1. Shtetet Palë respektojnë të drejtën e fëmijës për lirinë e mendimit, të ndërgjegjes
dhe të fesë.
2. Shtetet Palë respektojnë të drejtat dhe detyrimet e prindërve dhe, sipas rastit, të
përfaqësuesve ligjorë të fëmijës, për ta drejtuar atë në ushtrimin e të drejtës së tij, në
përputhje me zhvillimin e aftësive të tij.
3. Liria për të manifestuar fenë ose bindjet e tij mund t’u nënshtrohet vetëm
kufizimeve të përcaktuara me ligj dhe që janë të domosdoshme për të mbrojtur
sigurinë publike, rendin publik, shëndetin dhe moralin publik, ose liritë dhe të drejtat
themelore të të tjerëve.
Neni 15
1. Shtetet Palë njohin të drejtat e fëmijës për lirinë e organizimit dhe lirinë e
grumbullimit paqësor.
2. Asnjë kufizim nuk mund të ketë në ushtrimin e këtyre të drejtave, përveç atyre të
përcaktuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të
sigurimit kombëtar, të sigurisë publike ose të rendit publik, ose për të mbrojtur
shëndetin ose moralin publik, ose të drejtat dhe liritë e të tjerëve.
Neni 16
1. Asnjë fëmijë nuk u nënshtrohet ndërhyrjeve arbitrare ose të paligjshme në jetën e tij
private, në familje, në shtëpi ose në korrespondencën e tij, as cënimeve të
kundërligjshme të nderit dhe reputacionit të tij.
2. Fëmija ka të drejtën e mbrojtjes me ligj kundër ndërhyrjeve ose cënimeve të tilla.
Neni 17
Shtetet Palë njohin funksionin e rëndësishëm që përmbushin mjetet e komunikimit
masiv dhe garantojnë që fëmija të marrë informacione dhe materiale që vijnë nga
burime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, sidomos ato që synojnë të rrisin
mirëqenien e tij shoqërore, shpirtërore e morale, si dhe shëndetin e tij fizik dhe
mendor. Për këtë qëllim Shtetet Palë:
(a) Inkurajojnë mjetet e komunikimit masiv për të përhapur një informacion dhe
materiale me dobi shoqërore dhe kulturore për fëmijën dhe në përputhje me frymën e
nenit 29;
(b) Inkurajojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në prodhimin, shkëmbimin dhe
shpërndarjen e të tilla informacioneve dhe materialeve nga burime të ndryshme
kulturore, kombëtare e ndërkombëtare;
(c) Inkurajojnë prodhimin dhe përhapjen e librave për fëmijë;
(d) Inkurajojnë mjetet e komunikimit masiv, mbajnë parasysh, në mënyrë të veçantë
nevojat gjuhësore, të fëmijës që i përket një grupi etnik ose është autokton;
(e) Nxisin përpunimin e orientimeve të nevojshme për mbrojtjen e fëmijës nga
informacioni dhe materialet që dëmtojnë mirëqenien e tij, duke pasur parasysh
dispozitat e neneve 13 dhe 18.
Neni 18
1. Shtetet Palë përpiqen me të gjitha mundësitë, për të siguruar njohjen e parimit,
sipas të cilit të dy prindërit kanë përgjegjësi të përbashkët për edukimin dhe zhvillimin
e fëmijës. Përgjegjësinë kryesore për edukimin dhe zhvillimin e fëmijës e kanë
prindërit, ose sipas rastit, përfaqësuesit e tij ligjorë. Ata duhet të udhëhiqen, në radhë
të parë, nga interesi më i lartë i fëmijës.
2. Për të garantuar dhe zhvilluar të drejtat e përmendura në këtë Konventë, Shtetet
Palë u japin ndihmën e duhur prindërve dhe përfaqësuesve ligjorë të fëmijës, në
ushtrimin e përgjegjësisë që u bie atyre për rritjen e fëmijës dhe sigurojnë ngritjen e
institucioneve, qendrave ose shërbimeve të kujdesit për fëmijët.
3. Shtetet Palë marrin të gjitha masat e nevojshme për t’u siguruar fëmijëve, prindërit
e të cilëve janë në marrëdhënie pune, të drejtën të përfitojnë nga shërbimet dhe
lehtësitë e kujdesit për fëmijët, për të cilat janë ngritur.
Neni 19
1. Shtetet Palë marrin të gjitha masat legjislative, administrative, shoqërore dhe
edukative për mbrojtjen e fëmijës nga çdo formë e dhunës fizike ose mendore, fyerja
ose keqtrajtimi, braktisja apo mospërfillja, nëpërkëmbja ose shfrytëzimi, përfshirë
abuzimin seksual, për sa kohë që ai është nën ruajtjen e prindërve të tij ose të njërit
prej tyre, të përfaqësuesit ose përfaqësuesve të tij ligjorë ose të çdo personi tjetër të
cilit i është besuar.
2. Këto masa mbrojtjeje përfshijnë, kur është e përshtatshme, procedura të efektshme
për hartimin e programeve shoqërore për përkrahjen e nevojshme të fëmijës dhe atyre
që kujdesen për të, si dhe për forma të tjera parandalimi dhe identifikimi, raportimi,
referimi, hetimi, trajtimi dhe ndjekjeje të rasteve të keqtrajtimit të fëmijës, të
përshkruara më lart, duke përfshirë, në se duhet, procedurat e ndërhyrjes gjyqësore.
Neni 20
1. Një fëmije, të cilit i mohohet në mënyrë të përkohshme ose të përhershme mjedisi i
tij familjar, ose kur nuk është në interesin e tij më të lartë të qëndrojë në këtë mjedis,
ka të drejtë për një mbrojtje dhe një ndihmë të posaçme nga shteti.
2. Shtetet Palë sigurojnë për këtë fëmijë një përkujdesje alternative, në pëputhje me
legjislacionin e tyre të brendshëm.
3. Kjo përkujdesje alternative mund të ketë, inter alia, formën e vendosjes në një
familje, të “Kafalasë” sipas të drejtës islamike, të birësimit ose, në rast nevoje, të
vendosjes në një qendër të përshtatshme të kujdesit për fëmijët. Në gjetjen e këtyre
zgjidhjeve, duhet të mbahen mirë parasysh dëshira për vazhdimësinë në edukimin e
fëmijës, si dhe origjina e tij etnike, fetare, kulturore dhe gjuhësore.
Neni 21
Shtetet Palë, të cilët pranojnë dhe/ose lejojnë sistemin e birësimit, garantojnë që
konsiderata mbizotëruese të jetë interesi më i lartë i fëmijës dhe:
(a) Sigurojnë që birësimi i fëmijës të autorizohet vetëm nga autoritetet kompetente, të
cilët përcaktojnë, në përputhje me ligjin dhe procedurat e zbatueshme dhe mbi bazën e
të gjitha të dhënave përkatëse dhe të besueshme, që birësimi të lejohet duke mbajtur
parasysh gjendjen e fëmijës në raport me prindërit, të afërmit dhe përfaqësuesit e tij
ligjorë dhe, kur është e nevojshme, personat e interesuar të kenë dhënë pëlqimin e tyre
të ndërgjegjshëm për birësimin, mbi bazën e këshillimit të nevojshëm;
(b) Pranojnë se birësimi në një vend tjetër mund të shihet si një alternativë për të
siguruar kujdesin për fëmijën, në qoftë se fëmija nuk mund të vendoset në një familje
ushqyese ose birësuese, ose të ketë një mënyrë tjetër të përshtatshme përkujdesjeje në
vendin e tij të origjinës;
(c) Sigurojnë që, në rast birësimi në një vend tjetër, fëmija të gëzojë mbrojtjen dhe
normat e barazvlershme me ato që ekzistojnë në rastin e birësimit në vendin e tij;
(d) Marrin të gjitha masat e duhura për të siguruar që, në rast birësimi në një vend
tjetër, vendosja e fëmijës të mos kthehet në një përfitim material të pavend për
personat e implikuar në të;
(e) Mbështesin, sipas rastit, objektivat e këtij neni, duke përfunduar rregullime ose
marrëveshje dypalëshe ose shumëpalëshe dhe përpiqen në këtë kuadër të sigurojnë që
vendosja e fëmijës në një vend tjetër të bëhet nga autoritetet ose organet kompetente.
Neni 22
1. Shtetet Palë marrin masat e duhura për të siguruar që një fëmijë, i cili kërkon të
marrë statusin e refugjatit ose që konsiderohet si i tillë sipas rregullave dhe
procedurave të së drejtës ndërkombëtare ose të brendshme të zbatueshme, qoftë vetëm
apo i shoqëruar nga prindërit e tij ose nga çdo person tjetër, të përfitojë nga mbrojtja
dhe përkrahja humanitare e duhur, për t’i lejuar atij të gëzojë të drejtat që i njohin kjo
Konventë dhe instrumentet e tjera ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut ose me
karakter humanitar, në të cilat Shtetet janë Palë.
2. Për këtë qëllim, Shtetet Palë bashkëpunojnë, kur e gjykojnë të nevojshme, në çdo
përpjekje të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të organizatave të tjera
ndërqeveritare ose joqeveritare kompetente, që bashkëpunojnë me Organizatën e
Kombeve të Bashkuara për të mbrojtur dhe ndihmuar fëmijën dhe për të kërkuar
prindërit ose anëtarët e tjerë të familjes të çdo fëmije refugjat, me qëllim që të
sigurojnë informacionin e nevojshëm për bashkimin me familjen. Në rastet kur as
prindërit, as anëtarët e tjerë të familjes nuk gjenden, fëmijës do t’i jepet e njëjta
mbrojtje, si çdo fëmije tjetër që i mungon ngaherë ose përkohësisht mjedisi familjar,
cilado qoftë arsyeja, sikundër parashikohet në këtë Konventë.
Neni 23
1. Shtetet Palë pranojnë se fëmija me paaftësi mendore ose fizike duhet të bëjë një jetë
normale dhe të përshtatshme, në kushte që garantojnë dinjitetin e tij, që nxisin
autonominë dhe lehtësojnë pjesëmarrjen e tij aktive në jetën e bashkësisë.
2. Shtetet Palë njohin të drejtën e fëmijës me paaftësi për kujdes të posaçëm dhe
nxisin e sigurojnë, brenda mundësive të të ardhurave të disponueshme, dhënien
fëmijës, i cili përmbush kushtet, si dhe atyre që kujdesen për të, të ndihmës që
kërkohet dhe që i përshtatet gjendjes së fëmijës dhe gjendjes financiare të prindërve të
tij, ose të atyre që kujdesen për të.
3. Duke njohur nevojat e veçanta të fëmijës me paaftësi, ndihma e dhënë sipas
paragrafit 2 të këtij neni jepet falas sa herë të jetë e mundur, duke pasur parasysh
burimet financiare të prindërve të tij ose të atyre që kujdesen për të dhe kjo synon që
fëmijët me paaftësi të kenë mundësi efektivisht të marrin arsim, kualifikim, shërbime
shëndetësore, shërbime riaftësimi, përgatitje për punësim dhe veprimtari argëtuese, në
mënyrë që fëmija të sigurojë një integrim shoqëror dhe zhvillim vetiak sa më të plotë,
përfshirë zhvillimin e tij kulturor dhe shpirtëror.
4. Shtetet Palë, në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar, nxisin shkëmbimin e
informacionit të përshtatshëm në fushën e kujdesit shëndetësor parandalues dhe të
trajtimit mjekësor, psikologjik dhe funksional të fëmijëve me paaftësi, përfshirë
përhapjen dhe mundësinë e marrjes së informacionit lidhur me metodat e riaftësimit,
edukimit dhe shërbimeve të formimit profesional, me qëllim që Shtetet Palë të kenë
mundësi të përmirësojnë cilësitë dhe aftësitë e tyre dhe të zgjerojnë përvojën e tyre në
këto fusha. Në këtë drejtim, duhet të mbahen parasysh në mënyrë të veçantë nevojat e
vendeve në zhvillim.
Neni 24
1. Shtetet Palë njohin të drejtën e fëmijës për të gëzuar një gjendje shëndetësore sa më
të mirë dhe për të përfituar nga shërbimet për trajtimin e sëmundjes dhe riaftësimin e
shëndetit. Shtetet Palë përpiqen të sigurojnë që asnjë fëmije të mos i mohohet e drejta
për të pasur këto shërbime të kujdesit shëndetësor.
2. Shtetet Palë ndjekin zbatimin e plotë të kësaj të drejte dhe në veçanti marrin masat
e duhura:
(a) Për të ulur vdekshmërinë foshnjore dhe fëminore;
(b) Për t’u siguruar të gjithë fëmijëve ndihmën e nevojshme mjekësore dhe kujdesin
për shëndetin, duke e vënë theksin në zhvillimin e kujdesit shëndetësor parësor;
(c) Për të luftuar sëmundjen dhe kequshqyerjen, edhe në kuadrin e kujdesit
shëndetësor parësor, me anë të përdorimit, ndër të tjera, të teknikave lehtësisht të
arritshme si dhe të sigurimit të produkteve ushqimore të përshtatshme dhe ujit të
pijshëm të pastër, duke pasur parasysh rreziqet e ndotjes së mjedisit natyror;
(d) Për t’u siguruar nënave kujdesin e duhur shëndetësor, para dhe pas lindjes;
(e) Për të mundësuar që gjithë grupet shoqërore dhe në veçanti prindërit dhe fëmijët të
marrin informacion, të kenë mundësi edukimi dhe të përkrahen për të përdorur dijet
bazë për shëndetin dhe të ushqyerit e fëmijës, përparësitë e ushqyerjes me gji,
higjienën dhe shëndoshjen e mjedisit dhe parandalimin e aksidenteve;
(f) Për të zhvilluar kujdesin shëndetësor parandalues, këshillimin e prindërve,
edukimin dhe shërbimet në fushën e planifikimit familjar.
3. Shtetet Palë marrin të gjitha masat e efektshme dhe të nevojshme për të zhdukur
praktikat tradicionale të dëmshme për shëndetin e fëmijëve.
4. Shtetet Palë marrin përsipër të nxisin dhe inkurajojnë bashkëpunimin
ndërkombëtar, me qëllim që të sigurojnë gradualisht realizimin e plotë të së drejtës së
njohur në këtë nen. Për këtë, mbahen parasysh në mënyrë të veçantë nevojat e
vendeve në zhvillim.
Neni 25
Shtetet Palë i njohin fëmijës, për të cilin është vendosur nga autoritetet kompetente
për të qenë nën kujdesje, mbrojtje ose trajtim fizik ose mendor, të drejtën e një
ekzaminimi periodik të këtij trajtimi dhe të çdo rrethane tjetër lidhur me këtë
vendosje.
Neni 26
1. Shtetet Palë i njohin çdo fëmije të drejtën për të përfituar përkrahje shoqërore,
përfshirë sigurime shoqërore dhe marrin masat e nevojshme për të arritur realizimin e
plotë të kësaj të drejte, në përputhje me legjislacionin e tyre kombëtar.
2. Ndihmat, ku është e nevojshme, duhet të jepen duke pasur parasysh të ardhurat dhe
kushtet e fëmijës dhe personave përgjegjës për mbajtjen e tij si dhe çdo konsideratë
tjetër që lidhet me kërkesën për ndihmë të bërë nga vetë fëmija ose në emër të tij.
Neni 27
1. Shtetet Palë njohin të drejtën e çdo fëmije për një nivel jetese të mjaftueshëm për
zhvillimin e tij fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe shoqëror.
2. Përgjegjësinë për të siguruar kushtet e nevojshme të jetesës për zhvillimin e
fëmijës, brenda kufijve të mundësive dhe mjeteve të tyre financiare, e kanë në radhë të
parë prindi ose prindërit ose personat e tjerë përgjegjës për rritjen e fëmijës.
3. Shtetet Palë marrin masat e duhura, sipas kushteve kombëtare dhe mundësive të
tyre, për të ndihmuar prindërit dhe personat e tjerë përgjegjës për fëmijën, që të vënë
në jetë këtë të drejtë dhe, në rast nevoje, për të siguruar një përkrahje materiale dhe
programe mbështetjeje, sidomos lidhur me ushqimin, veshmbathjen dhe banimin.
4. Shtetet Palë marrin të gjitha masat e duhura për të siguruar marrjen e pensionit
ushqimor të fëmijës nga prindërit e tij ose nga personat e tjerë që kanë përgjegjësi
financiare ndaj tij, qoftë brenda ose jashtë vendit. Në veçanti, në rastet kur personi që
ka një përgjegjësi financiare ndaj fëmijës jeton në një shtet tjetër nga ai i fëmijës,
Shtetet Palë favorizojnë aderimin në marrëveshjet ndërkombëtare ose përfundimin e
marrëveshjeve të tilla si dhe miratimin e rregullimeve të tjera të duhura.
Neni 28
1. Shtetet Palë njohin të drejtën e fëmijës për arsimim dhe, me qëllim që të arrihet kjo
e drejtë, hap pas hapi dhe mbi bazën e mundësive të barabarta, në mënyrë të veçantë
ata:
(a) Bëjnë arsimin fillor të detyrueshëm dhe falas për të gjithë;
(b) Inkurajojnë zhvillimin e formave të ndryshme të arsimit të mesëm si të
përgjithshëm, dhe profesional, i bëjnë ato të hapura e të mundshme për çdo fëmijë dhe
marrin masa të përshtatshme, si vendosja e arsimit falas dhe dhënia e një ndihme
financiare në rast nevoje;
(c) U sigurojnë të gjithëve arsimin e lartë, sipas aftësive të secilit, me të gjitha mjetet e
përshtatshme;
(d) Bëjnë të mundshëm dhe të arritshëm për çdo fëmijë informacionin dhe orientimin
shkollor e profesional;
(e) Marrin masa për të inkurajuar frekuentimin e rregullt të shkollës dhe uljen e
përqindjes së braktisjes së shkollës.
2. Shtetet Palë marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që displina shkollore
të zbatohet në mënyrë të pajtueshme me dinjitetin njerëzor të fëmijës dhe në përputhje
me këtë Konventë.
3. Shtetet Palë nxisin dhe inkurajojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e
arsimit, për të kontribuar, në mënyrë të veçantë, në zhdukjen e padijes dhe të
analfabetizmit kudo në botë dhe për të lehtësuar përvetësimin e njohurive shkencore e
teknike dhe të metodave moderne të mësimdhënies. Për këtë, mbahen parasysh në
mënyrë të veçantë nevojat e vendeve në zhvillim.
Neni 29
1. Shtetet Palë u morën vesh që arsimimi i fëmijës të ketë për synim:
(a) Të zhvillojë potencialin e plotë të personalitetit, dhuntive dhe aftësive mendore e
fizike të fëmijës;
(b) Të rrisë respektin për të drejtat e liritë themelore të njeriut dhe për parimet e
mishëruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara;
(c) Të rrisë respektin për prindërit e fëmijës, për identitetin e tij, gjuhën dhe vlerat
kulturore, për vlerat kombëtare të vendit ku fëmija jeton, të vendit të origjinës dhe të
qytetërimeve të ndryshme nga i veti;
(d) Ta përgatisë fëmijën për një jetë të përgjegjshme në një shoqëri të lirë, në frymë e
mirëkuptimit, paqes, tolerimit, barazisë midis sekseve dhe miqësisë midis të gjithë
popujve, grupeve etnike, grupeve kombëtare e fetare dhe personave me origjinë
autoktone;
(e) T’i zhvillojë fëmijës respektin për mjedisin natyror.
2. Asnjë dispozitë e këtij neni ose e nenit 28 nuk do të interpretohet në mënyrë të atillë
që të cënojë lirinë e personave fizikë ose juridikë, për të krijuar e drejtuar qendra
arsimore, gjithmonë me kusht që parimet e përmendura në paragrafin 1 të këtij neni të
respektohen dhe që arsimi që jepet në këto qendra të jetë në përputhje me normat
minimale që përcaktohen nga Shteti.
Neni 30
Në Shtetet ku ekzistojnë pakica etnike, fetare apo gjuhësore, ose persona me origjinë
autoktone, një fëmije që i përket një minoriteti ose është autokton, nuk mund t’i
mohohet e drejta për të pasur kulturën e vet, të ushtrojë dhe praktikojë fenë e vet, ose
të përdorë gjuhën e vet së bashku me anëtarët e tjerë të grupit të tij.
Neni 31
1. Shtetet Palë i njohin fëmijës të drejtën të pushojë dhe argëtohet, të praktikojë lojëra
dhe veprimtari çlodhëse, në përshtatje me moshën, si dhe të marrë pjesë lirisht në
jetën kulturore dhe artistike.
2. Shtetet Palë respektojnë dhe nxisin të drejtën e fëmijës për pjesëmarrje të plotë në
jetën kulturore dhe artistike, inkurajojnë sigurimin e mundësive të përshtatshme dhe të
barabarta për kohën e lirë dhe për veprimtari kulturore, artistike, argëtuese dhe
çlodhëse.
Neni 32
1. Shtetet Palë njohin të drejtën e fëmijës për t’u mbrojtur nga shfrytëzimi ekonomik
dhe nga kryerja e çdo pune që paraqet rreziqe ose që cënon edukimin e tij ose dëmton
shëndetin apo zhvillimin e tij fizik, mendor, shpirtëror, moral ose shoqëror.
2. Shtetet Palë marrin masa legjislative, administrative, shoqërore dhe edukative, për
të siguruar zbatimin e këtij neni. Për këtë qëllim dhe duke pasur parasysh dispozitat
përkatëse të instrumenteve të tjera ndërkombëtare, Shtetet Palë në mënyrë të veçantë:
(a) Përcaktojnë një moshë minimale ose moshat minimale të pranimit në punë;
(b) Parashikojnë një rregullim të përshtatshëm të orarit të punës dhe të kushteve të
punës;
(c) Japin dënime ose sanksione të tjera të përshtatshme për të siguruar zbatimin
efektiv të këtij neni.
Neni 33
Shtetet Palë marrin të gjitha masat e duhura, duke përfshirë ato legjislative,
administrative, shoqërore dhe edukative, për të mbrojtur fëmijët nga përdorimi i
paligjshëm i drogave narkotike dhe lëndëve psikotrope, siç përcaktohen në konventat
përkatëse ndërkombëtare dhe për të mos lejuar që fëmijët të përdoren për prodhimin
dhe trafikun e paligjshëm të këtyre lëndëve.
Neni 34
Shtetet Palë marrin përsipër të mbrojnë fëmijën nga çdo lloj forme e shfrytëzimit
seksual dhe keqtrajtimit seksual. Për këtë qëllim, Shtetet Palë marrin në mënyrë të
veçantë të gjitha masat e duhura në planin kombëtar, dypalësh dhe shumëpalësh për të
mos lejuar që:
(a) Fëmijët të nxiten ose të detyrohen për t’u përfshirë në veprimtari të paligjshme
seksuale;
(b) Fëmijët të shfrytëzohen për qëllime prostitucioni ose praktika të tjera seksuale të
paligjshme;
(c)Fëmijët të shfrytëzohen për shfaqje ose materiale pornografike.
Neni 35
Shtetet Palë marrin të gjitha masat e nevojshme në planin kombëtar, dypalësh dhe
shumëpalësh, për të mos lejuar rrëmbimin, shitjen, ose trafikun e fëmijëve për çdo
qëllim dhe në çfarëdo forme qoftë.
Neni 36
Shtetet Palë mbrojnë fëmijën nga çdo formë tjetër shfrytëzimi, që dëmton në çfarëdo
aspekti mirëqënien e tij.
Neni 37
Shtetet Palë sigurojnë që:
(a) Asnjë fëmijë të mos i nënshtrohet torturës, as trajtimeve ose dënimeve mizore,
çnjerëzore ose poshtëruese. As dënimi me vdekje, as burigimi i përjetshëm nuk duhet
të jepen për shkelje të ligjit; të kryera nga persona nën 18 vjeç;
(b) Asnjë fëmije të mos i mohohet liria në mënyrë të paligjshme ose arbitrare.
Arrestimi, ndalimi ose burgimi i një fëmije duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe të
përdoret vetëm si një masë e fundit dhe për një kohë sa më të shkurtër.
(c) Çdo fëmijë i privuar nga liria të trajtohet në mënyrë njerëzore dhe me respektin që
i takon dinjitetit të njeriut dhe në mënyrë të tillë; që të kihen parasysh nevojat e
personave të moshës së tij. Në veçanti, çdo fëmijë i privuar nga liria duhet të veçohet
nga të rriturit, me përjashtim të rastit kur mendohet se është në intresin më të lartë të
fëmijës që kjo të shmanget dhe ai të ketë të drejtën të mbajë lidhje me familjen me
korrespondencë dhe vizita, me përjashtim të rrethanave të jashtëzakonshme;
(d) Çdo fëmijë i privuar nga liria duhet të ketë të drejtën që t’i jepet menjëherë ndihmë
juridike ose çdo ndihmë tjetër e përshtatshme, si dhe të drejtën të kundërshtojë
vendimin për heqjen e lirisë përpara një gjykate ose një autoriteti tjetër kompetent, të
pavarur dhe të paanshëm si dhe për një vendim të shpejtë për çdo rast të tillë.
Neni 38
1. Shtetet Palë marrin përsipër të respektojnë dhe të bëjnë të respektohen rregullat e së
drejtës humanitare ndërkombëtare, që janë të zbatueshme për ta në rast konflikti të
armatosur dhe që kanë të bëjë me fëmijën.
2. Shtetet Palë marrin të gjitha masat e mundshme për të siguruar që personat, të cilët
nuk kanë mbushur moshën pesëmbëdhjetë vjeç, të mos marrin pjesë drejtpërdrejt në
veprimet luftarake.
3. Shtetet Palë nuk rekrutojnë në forcat e tyre të armatosura asnjë person që nuk ka
mbushur moshën pesëmbëdhjetë vjeç. Kur ata rekrutojnë persona më të rritur se 15
vjeç por më të vegjël se 18 vjeç, Shtetet Palë përpiqen të rekrutojnë më përpara më të
mëdhenjtë në moshë.
4. Në përputhje me detyrimin që u takon në bazë të së drejtës humanitare
ndërkombëtare, për të mbrojtur popullsinë civile në rast konflikti të armatosur, Shtetet
Palë marrin të gjitha masat e mundshme, për të siguruar mbrojtjen dhe kujdesin për
fëmijët e prekur nga konflikti i armatosur.
Neni 39
Shtetet Palë marrin të gjitha masat e duhura për të lehtësuar riaftësimin fizik e
psikologjik dhe riintegrimin në shoqëri të çdo fëmije që është viktimë: e çdo forme
pakujdesie, shfrytëzimi ose keqtrajtimi, torture ose çdo forme tjetër të një trajtimi ose
dënimi mizor, çnjerëzor e poshtërues ose konflikti të armatosur. Ky riaftësim dhe ky
riintegrim duhet të bëhen në kushtet e një mjedisi, që ndihmon shëndetin,
personalitetin dhe dinjitetin e fëmijës.
Neni 40
1. Shtetet Palë i njohin çdo fëmije të dyshuar, të akuzuar ose për të cilin është thënë se
ka kryer shkelje të ligjit penal, të drejtën e një trajtimi të tillë, që zhvillon te fëmija
ndjenjën e dinjitetit dhe të vlerës së personit, që përforcon tek ai ndjenjën e respektit
të tij për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve dhe që merr parasysh
moshën e fëmijës si dhe dëshirën për të ndihmuar në riintegrimin e tij në shoqëri dhe
në mënyrë që ai të luajë një rol konstruktiv në gjirin e saj.
2. Për këtë qëllim dhe duke pasur parasyh dispozitat përkatëse të instrumenteve
ndërkombëtare, Shtetet Palë kujdesen në veçanti që:
(a)Asnjë fëmijë të mos jetë i dyshuar, i akuzuar ose i cilësuar për shkelje të ligjit penal
për arsye të veprimeve ose mosveprimeve që nuk kanë qenë të ndaluara nga e drejta e
brendshme ose ndërkombëtare në momentin kur ato janë kryer;
(b) Çdo fëmijë i dyshuar ose i akuzuar për shkelje të ligjit penal të ketë të paktën
garancitë që vijojnë:
(i) Të prezumohet i pafajtshëm derisa të provohet pafajësia ligjërisht;
(ii) Të informohet menjëherë dhe drejtpërdrejt për akuzat e ngritura kundër tij,
nëse është e përshtatshme, me anë të prindërve të tij ose të përfaqësuesve
ligjorë, dhe të ketë ndihmë juridike ose nga çdo ndihmë tjetër të duhur për
përgatitjen dhe paraqitjen e mbrojtjes së tij;
(iii) Çështja e tij të shqyrtohet pa vonesë nga një autoritet ose instancë
gjyqësore kompetente, e pavarur dhe e paanshme, sipas një procedure të drejtë
ligjore, në praninë e ndihmës juridike ose të një ndihme tjetër të përshtatshme,
dhe, kur gjykohet se kjo nuk është në interesin më të lartë të fëmijës, sidomos
për arsye të moshës ose gjendjes së tij, në prani të prindërve ose përfaqësuesve
të tij ligjorë.
(iv) Të mos detyrohet të dëshmojë ose të pohojë veten fajtor; të pyeten ose të
bëjë të pyeten dëshmitarët e akuzës dhe të sigurojë paraqitjen dhe marrjen në
pyetje të dëshmitarëve të mbrojtjes së tij, në kushte të barabarta.
(v) Në qoftë se vendoset se ka shkelur ligjin penal, të bëjë ankim kundër këtij
vendimi si dhe çdo masë të marrë si pasojë, para një autoriteti ose një instance
gjyqësore kompetente më të lartë, të pavarur dhe të paanshme, në përputhje me
ligjin.
(vi) Të ndihmohet falas nga një përkthyes, në qoftë se ai nuk e kupton ose nuk
e flet gjuhën që përdoret.
(vii) Të respektohet plotësisht jeta e tij private në të gjitha fazat e procedurës.
3. Shtetet Palë përpiqen të nxisin krijimin e ligjeve, procedurave, organeve dhe
institucioneve të posaçme për fëmijët që dyshohen, akuzohen ose që vlerësohen se
kanë kryer shkelje të ligjit penal dhe në veçanti:
(a) Përcaktojnë një moshe minimale, nën të cilën fëmijët prezumohen të paaftë për të
shkelur ligjin penal;
(b) Marrin masa, sa herë është e nevojshme dhe e dëshirueshme, për t’i trajtuar këta
fëmijë pa iu drejtuar procedurës gjyqësore, me kusht që të respektohen plotësisht të
drejtat e njeriut dhe mbrojtja ligjore.
4. Parashikohen dispozita të ndryshme, siç janë kujdesi, orientimi dhe kontrolli;
këshillat; periudha e provës; kujdesi në familje; programet e edukimit të përgjithshëm
dhe profesional dhe zgjidhje të tjera, veç atyre institucionale, për t’u siguruar fëmijëve
një trajtim në përputhje me mirëqenien e tyre dhe në raport me gjendjen e tyre dhe me
shkeljen e ligjit.
Neni 41
Asnjë nga dispozitat e kësaj Konvente nuk cënon dispozitat më të favorshme për
realizimin e të drejtave të fëmijës, që mund të parashikohen:
(a) në legjislacionin e një Shteti Palë; ose
(b) në të drejtën ndërkombëtare në fuqi për atë Shtet.
PJESA II
Neni 42
Shtetet Palë marrin përsipër t’ua bëjnë gjerësisht të njohura parimet dhe dispozitat e
kësaj Konvente, si të rriturve ashtu edhe fëmijëve, me anë të mjeteve energjike të
përshtatshme.
Neni 43
1. Me qëllim që të shqyrtohen përparimet e arritura nga Shtetet Palë në përmbushjen e
detyrimeve të marra përsipër prej tyre në bazë të kësaj Konvente, krijohet një Komitet
mbi të Drejtat e Fëmijës, i cili kryen funksionet e caktuara si më poshtë.
2. Komiteti përbëhet nga dhjetë ekspertë me moral të lartë dhe që njihen si
kompetentë në fushën që trajton kjo Konventë. Anëtarët e tij zgjidhen nga Shtetet
Palë midis shtetasve të tyre dhe marrin pjesë me titull personal, duke pasur parasysh
një shpërndarje gjeografike të drejtë dhe sistemet juridike kryesore.
3. Anëtarët e Komitetit zgjidhen me votë të fshehtë, nga një listë personash të caktuar
nga Shtetet Palë. Çdo Shtet Palë mund të caktojë një kandidat nga shtetasit e tij.
4. Zgjedhja e parë bëhet jo më vonë se gjashtë muaj nga data e hyrjes në fuqi të kësaj
Konvente. Më pas zgjedhjet bëhen çdo dy vjet. Të paktën katër muaj para datës së
çdo zgjedhjeje, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara fton
me shkrim Shtetet Palë të propozojnë kandidatët e tyre brenda një afati dymujor.
Sekretari i Përgjithshëm bën më pas listën alfabetike të kandidateve të caktuar, duke
cilësuar Shtetet Palë që i kanë caktuar dhe ua paraqit ata Shteteve Palë në këtë
Konventë.
5. Zgjedhjet bëhen gjatë mbledhjeve të Shteteve Palë, të organizuara nga Sekretari i
Përgjithshëm në Selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në këto mbledhje,
në të cilat duhet të jenë të pranishëm jo më pak se dy të tretat e Shteteve Palë,
kandidatë të zgjedhur në Komitet janë ata që fitojnë numrin më të madh të votave dhe
shumicën absolute të votave të Shteteve Palë të pranishëm dhe votues.
6. Anëtarët e Komitetit zgjidhen për një mandat katërvjeçar. Ata mund të rizgjidhen
në qoftë se kandidatura e tyre paraqitet përsëri. Mandati i pesë prej anëtarëve të
zgjedhur në zgjedhjen e parë mbaron pas dy vjetësh. Emrat e këtyre pesë anëtarëve
hidhen në short nga Kryetari i mbledhjes, menjëherë pas zgjedhjes së parë.
7. Në rast se një anëtar i Komitetit vdes ose jep dorëheqjen ose deklaron se për çdo
arsye tjetër nuk mund t’i kryejë më funksionet e tij në Komitet, Shteti Palë, që kishte
paraqitur kandidaturën e tij, emëron një tjetër ekspert nga shtetasit e vet, për të
plotësuar vendin e lirë deri në përfundimin e mandatit korrespondues, gjë që i
nënshtrohet miratimit të Komitetit.
8. Komiteti miraton rregulloren e tij të brendshme.
9. Komiteti zgjedh byronë e tij për një periudhë prej dy vjetësh.
10. Mbledhjet e Komitetit zakonisht mbahen në Selinë e Organizatës së Kombeve të
Bashkuara ose në çdo vend tjetër të përshtatshëm, të caktuar nga Komiteti. Komiteti
mblidhet zakonisht çdo vit. Zgjatja e sesioneve të tij përcaktohet dhe ndryshohet, në
rast se është e nevojshme, nga një mbledhje e Shteteve Palë në këtë Konventë, me
rezervën e miratimit nga Asambleja e Përgjithshme.
11. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara vë në dispozicion
të Komitetit personelin dhe pajisjet e nevojshme, për të kryer me efektshmëri
funksionet që i janë besuar në bazë të Konventës.
12. Me miratimin e Asamblesë së Përgjithshme, anëtarët e Komitetit të krijuar në bazë
të kësaj Konvente paguhen nga të ardhurat e OKB-së, sipas kushteve dhe modaliteteve
të caktuara nga Asambleja e Përgjithshme.
Neni 44
1. Shtetet Palë marrin përsipër të paraqitin në Komitet, nëpërmjet Sekretarit të
Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, raporte mbi masat e marra për
të përmbushur të drejtat e njohura në këtë Konventë dhe mbi përparimet e realizuara
në gëzimin e këtyre të drejtave:
(a) Brenda dy vjetëve, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Konvente për
Shtetet Palë;
(b) Në vazhdim në çdo pesë vjet.
2. Raportet e paraqitura në zbatim të këtij neni tregojnë faktorët dhe vështirësitë, në
rast se ka, që kanë ndikuar në shkallën e përmbushjes nga Shtetet Palë të detyrimeve
të parashikuara në këtë Konventë. Raportet duhet të përmbajnë gjithashtu të dhëna të
mjaftueshme për t’i dhënë Komitetit një ide të plotë për zbatimin e Konventës në
vendin përkatës.
3. Shtetet Palë, që kanë paraqitur në Komitet raportin e parë të plotë, nuk përsërisin në
raportet që i paraqesin atij në vazhdim, sipas pikës (b) të paragrafit të parë të këtij
neni, sqarimet kryesore, të komunikuara qysh më parë.
4. Komiteti mund t’u kërkojë Shteteve Palë të dhëna plotësuese, që kanë të bëjnë me
zbatimin e Konventës.
5. Komiteti i paraqit çdo dy vjet Asamblesë së Përgjithshme, nëpërmjet Këshillit
Ekonomik dhe Shoqëror, një raport mbi veprimtarinë e tij.
6. Shtetet Palë sigurojnë një shpërndarje të gjerë të raporteve të tyre në vendet e tyre.
Neni 45
Për të arritur zbatimin efektiv të Konventës dhe për të inkurajuar bashkëpunimin
ndërkombëtar në fushën që mbulon kjo Konventë:
(a) Agjencitë e specializuara, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët dhe organe
të tjera të Kombeve të Bashkuara, kanë të drejtë të përfaqësohen gjatë shqyrtimit të
zbatimit të dispozitave të kësaj Konvente, që kanë të bëjnë me mandatin e tyre.
Komiteti mund të ftojë agjencitë e specializuara, Fondin e Kombeve të Bashkuara për
Fëmijët dhe të gjitha organet e tjera kompetente, që ai do ta gjykojë të arsyeshme, për
të dhënë mendime të specializuara mbi zbatimin e Konventës në fusha që kanë të
bëjnë me mandatin e tyre përkatës. Ai mund të ftojë agjencitë e specializuara, Fondin
e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët dhe organe të tjera të Kombeve të Bashkuara për
t’i paraqitur raporte mbi zbatimin e Konventës në sektorët që kanë të bëjnë me fushën
e veprimtarisë së tyre;
(b) Komiteti u transmeton agjencive të specializuara, Fondit të Kombeve të Bashkuara
për Fëmijët dhe organeve të tjera kompetente, në rast se e sheh të nevojshme, çdo
raport të Shteteve Palë, që përmban një kërkesë ose që tregon një nevojë për këshilla
ose ndihmë teknike, së bashku me vërejtjet dhe sugjerimet e Komitetit, në rast se ka të
tilla;
(c) Komiteti mund t’i rekomandojë Asamblesë së Përgjithshme, që t’i kërkojë
Sekretarit të Përgjithshëm, të ndërmarrë në emër të tij studime për çështje të veçanta,
që kanë të bëjnë me të drejtat e fëmijës;
(d) Komiteti mund të bëjë sugjerime dhe rekomandime të përgjithshme, të bazuara në
të dhënat e marra në zbatim të neneve 44 dhe 45 të kësaj Konvente. Këto sugjerime
dhe rekomandime të natyrës së përgjithshme i transmetohen çdo Shteti Palë të
interesuar dhe i përcillen për dijeni Asamblesë së Përgjithshme, të shoqëruara, në rast
se ka të tilla, me vërejtjet e Shteteve Palë.
PJESA III
Neni 46
Kjo Konventë është e hapur për nënshkrim nga të gjithë Shtetet.
Neni 47
Kjo Konventë i nënshtrohet ratifikimit. Instrumentet e ratifikimit depozitohen pranë
Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Neni 48
Konventa do të qëndrojë e hapur për aderim nga çdo Shtet. Instrumentet e aderimit
depozitohen pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të
Bashkuara.
Neni 49
1. Kjo Konventë hyn në fuqi në ditën e tridhjetë pas datës së depozitimit pranë
Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të instrumentit të
njëzetë të ratifikimit ose aderimit.
2. Për secilin Shtet që ratifikon këtë Konventë ose aderon në të, pas depozitimit të
instrumentit të njëzetë të ratifikimit ose aderimit, Konventa hyn në fuqi ditën e
tridhjetë pas depozitimit nga ky Shtet, të instrumentit të tij të ratifikimit ose aderimit.
Neni 50
1. Çdo Shtet Palë mund të propozojë një amendament dhe të depozitojë tekstin pranë
Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sekretari i
Përgjithshëm ua komunikon pastaj amendamentin e propozuar Shteteve Palë, duke
kërkuar që t’i bëjnë të ditur nëse janë për thirrjen e një konference të Shteteve Palë për
shqyrtimin e propozimit dhe të hedhjes në votë. Nëse brenda katër muajve pas datës
së këtij komunikimi, të paktën një e treta e Shteteve Palë shprehen për thirrjen e një
konference të tillë, Sekretari i Përgjithshëm thërret konferencën nën kujdesin e
Organiztës të Kombeve të Bashkuara. Çdo amendament i miratuar nga shumica e
Shteteve Palë të pranishëm dhe votues në konferencë i paraqitet për miratim
Asamblesë së Përgjithshme.
2. Një amendament i miratuar në përputhje me dispozitat e paragrafit 1 të këtij neni
hyn në fuqi pasi të jetë miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të
Bashkuara dhe të jetë pranuar nga dy të tretat e Shteteve Palë.
3. Kur një amendament hyn në fuqi, ai bëhet i detyrueshëm për të gjithë Shtetet Palë,
që e kanë pranuar dhe Shtetet e tjerë që mbeten të lidhur me dispozitat e kësaj
Konvente dhe me të gjithë amendamentet e mëparshme të pranuar prej tyre.
Neni 51
1. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara merr dhe ua
dërgon të gjithë Shteteve tekstin e rezervave të bëra nga Shtetet në çastin e ratifikimit
ose të aderimit.
2. Nuk lejohet asnjë rezervë e papajtueshme me objektin dhe qëllimin e kësaj
Konvente.
3. Rezervat mund të tërhiqen në çdo kohë, nëpërmjet njoftimit drejtuar Sekretarit të
Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili informon për këtë të
gjithë Shtetet Palë në Konventë. Njoftimi hyn në fuqi në datën kur ky është marrë nga
Sekretari i Përgjithshëm.
Neni 52
Çdo Shtet Palë mund ta denoncojë këtë Konventë me anë të një njoftimi me shkrim,
drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Denoncimi hyn në fuqi një vit pas datës kur njoftimi është marrë nga Sekretari i
Përgjithshëm.
Neni 53
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara caktohet si
depozitues i kësaj Konvente.
Neni 54
Origjinali i kësaj Konvente, bërë në gjuhët angleze, arabe, kineze, spanjolle, franceze
dhe ruse, me vlerë të barabartë, depozitohet pranë Sekretarit të Përgjithshëm të
Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Për vërtetim, të nënshkruarit, të plotfuqishëm e të ngarkuar ligjërisht nga qeveritë
përkatëse, nënshkruan këtë Konventë.